Genta Ismajli: S’e di sa kohë kam pa të dashur`!



Categories: Celebs, Gallery, Genta Ismaili, Gossip, Intervista, Kryesore, News, Pyetje - Pergjigje per Vipat, TV, Vipat Shqiptare

 
E kam shpirtin eksploziv, du’ një djalë më atraktiv, të më dojë, e t’më çmojë”, thuhet në tekstin e një prej këngëve të saj më të suksesshme… Veçse megjithëse Genta vazhdon ta ketë shpirtin eksploziv, ky djali, të cilin ajo ka kohë që e pret, nuk ka ardhur akoma. Ylli i skenave shqiptare, do të rrëfejë sot në këtë intervistë për “Bluetooth”, të rejat në jetën e saj dhe mendimin që ka për 100-vjetorin, Shqipërinë dhe shqiptarët…

Genta, si po kalon këto kohë, me çfarë po merresh?

Po kaloj shumë mirë, me punë, projekte të ndryshme në muzikë si gjithnjë, gjë që shpresoj se fansave të mi do t’u pëlqejë.
Kemi dëgjuar këngën tënde në bashkëpunim me 
“Berman Brothers”. Si re në kontakt me ta?

Kontakti është i mëhershëm. Do ta quaja këtë një prej bashkëpunimeve më të mira të karrierës sime, besoj edhe të suksesshëm.

Kënga jote u përfol si kopje e këngës “Chiki chiki” të këngëtares Nikki Lee. Je në dijeni për këtë?

Po, kam dëgjuar për këtë rast, por duhet të sqaroj që demoja e këngës sime është realizuar që në vitin 2010, ndërkohë që kënga në fjalë, ajo e Nikkit, është publikuar në 2012-ën, kështu që mund ta merrni vetë me mend se sa kanë kopjuar “Berman Brothers” në këtë këngë…
Synon ti një karrierë ndërkombëtare?Do mundohem të jem gjithëpërfshirëse. Muzika nuk ka kufij dhe besoj se një ditë nuk do të ketë as për ne.
Ç’mendon për shqiptaret që po tentojnë aktualisht për të hyrë në tregun ndërkombëtar: Adelina, Bleona, Dafina, etj…
U uroj shumë suksese dhe besoj në cilësitë e cilitdo prej kolegëve të mi.

Po për Rita Orën, çfarë mendimi ke?

Gëzohem për suksesin e saj, si të gjithë shqiptarët. Edhe unë mendoj njëjtë me ta.

Do doje një duet me të?

Nuk kam menduar për këtë, por jam e hapur me të gjithë ata që i përshtaten stilit tim.

Sipas teje, cila është diva e muzikës shqiptare?

Unë nuk mund ta vlerësoj këtë, ju sugjeroj të bëni një sondazh (qesh).

Ku e kalove 100-vjetorin e shtetit shqiptar?

Mes shqiptarëve të diasporës, në sytë e të cilëve pashë lot gëzimi për këtë ditë… Isha në Belgjikë dhe kam kaluar mrekullisht mirë me bashkëkombësit e mi atje.

Sapo kemi festuar 100 vite pavarësi… Ti, në ndryshim nga disa prej kolegeve, nuk solle një krijim enkas për Shqipërinë…
Kush tha që nuk solla, përkundrazi…

A nuk mendon se u abuzua pak me këtë festë? Shumë nga këngëtarët e përdorën për të fituar ca koncerte më shumë…
Nuk di çfarë të them, 100-vjetori ishte një festë që të gjitha gjeneratat ekzistuese nuk do kenë mundësinë jetike ta festojnë dhe mendoj se secili shprehu atë që ndjente në këtë drejtim.

Është fakt që ti në Shqipëri ke shënuar disa nga sukseset e tua më të mëdha. Çfarë emocionesh të evokon ky vend?

Për mua, si Shqipëria ashtu dhe Kosova janë një. Më përcjellin emocione të veçanta, të cilat nuk jam në gjendje as t’i përshkruaj.

Si ndihesh sot, kur bën rrugën Prishtinë – Tiranë?

Faktikisht jam shumë e lumtur që jemi tanimë shumë afër njëri-tjetrit dhe nuk e kemi problem rrugën e gjatë.

Jemi 100 vite shtet. Për çfarë është krenare Genta që është shqiptare?

Për gjithçka, duke filluar nga karakteri i fortë, besnikëria, mikpritja dhe zemërmirësia.

Çfarë mendon se i dallon shqiptarët nga kombet e tjera?

Jemi popull unik, si në gjuhë, kulturë, zakone dhe histori.

Cila është vlera më e madhe që ju kanë edukuar prindërit rreth origjinës dhe prejardhjes?

Besnikëria dhe sinqeriteti.

Të flasim pak për jetën private tani. A ke një të dashur aktualisht?

Nuk kaloj asnjë intervistë pa këtë pyetjen e famshme. Përgjigjja vazhdon të jetë ‘jo’, njësoj si në intervistën e fundit që kemi bërë bashkë.

Sa kohë ke pa të dashur?

Sinqerisht, as vetë s’e di.

Ç’është për Gentën dashuria?

Nuk ka ekzistencë pa dashurinë, kështu që për mua dashuria është jetë (qesh). Kur them dashuri, nuk nënkuptoj vetëm për partnerin, por edhe për njerëzit që të rrethojnë. Fatmirësisht jam e mbushur me dashuri nga këta të fundit.
Mashkulli ideal për ty?

Nuk dua ta tregoj, sepse më kanë thënë që ka aktorë shumë të mirë atje (qesh).

Më mirë një djalë me lekë, apo një djalë me shkollë?

Të dyja duhet t’i ketë njeriu. Megjithatë mendoj se ai që ka shkollë, ia del edhe për të siguruar të ardhura.

Si ndihesh kur sheh që shumë nga koleget e tua janë bërë nëna?

Kam mësuar se gjëja, pasuria më e madhe në këtë jetë është fëmija. E për pasojë, ndihem mirë që koleget e mia kanë në duar thesaret e jetës së tyre.

Pas sa vitesh e mendon veten nënë?

Mendoj se çdo gjë ka momentin e vet. Nuk mund të bëj parashikime në këtë çast. Duhet të gjej babain njëherë (qesh).

Planet për të ardhmen cilat janë? Na zbulon ndonjë surprizë?

Të jem sot më mirë se dje dhe nesër më mirë se sot… Po i zbuluam surprizat, ç’u pa pastaj (qesh)!